Tre të plagosur në Tetovë, njëri prej tyre në komë

Tre persona janë plagosur në një shkëmbim zjarri në rrugën “29 Nëntori” në Tetovë dhe për shkak të lëndimeve janë dërguar në Kompleksin Klinik “Nëna Terezë”, në Shkup, nërsa njëri prej tyre është në gjendje kome.

Rasti është denoncuar në stacionin e policisë në Tetovë sot rreth orës 02:20, raporton rtv21.

Lëndime trupore nga pistoleta ka marrë 37 vjeçari S.K. dhe 26 vjeçari S.K., ndërsa 49 vjeçari M.A, ka lëndime në kokë dhe raportohet se është komë. Që të tre për shkak të seriozitetit të lëndimeve janë dërguar në kompleksin e klinikave “Nëna Terezë”, njoftojnë nga SPB-ja në Tetovë.

Zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski deklaroi se menjëherë pas denoncimit në terren kanë dalë ekipet e SPB-së në Tetovë dhe nga Prokuroria publike dhe se nga vendi i ngjarjes janë marrë një revole me kornizë me tetë plumba dhe pesë gëzhoja.

Në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një automjet udhëtimi “Mercedes” me targa të Tetovës. Gjithashtu nga SPB-ja në Tetovë thonë se po punohet për zbardhjen e plotë të rastit.