Trashëgimtari saudit i fronit e quan liderin fetar iranian “Hitleri i ri”

Trashëgimtari i fronit në Arabinë Saudite, Muhammed bin Salman, deklaroi se vendi i tij do të prodhojë armën bërthamore nëse një gjë të tillë e bën edhe Irani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Televizioni amerikan CBS ka publikuar një intervistë me princin Muhammed, të cilën e kishte incizuar ditë më parë në Xheda, e cila tërhoqi vëmendjen e madhe të opinionit pasi në sekuencat e paralajmërimit të saj, princi ka kritikuar ashpër Iranin.

Princi Muhammed e quajti liderin fetar iranian, Ayatollah Ali Khamenei “Hitleri i ri”, që e kishte bazuar në politikën iraniane të shtrirjes së ndikimit në rajon.

“Kjo është e vërtetë sepse Irani dëshiron të shtrijë ndikimin përmes projekteve në Lindjen e Mesme, duke e bërë këtë në të njëjtën mënyrë siç bënte Hitleri me Gjermaninë. Shumë shtete në Evropë dhe botë nuk kuptuan me kohë kërcënimin nga Hitleri, por kur kuptuan ishte vonë. Unë nuk e dëshiroj këtë në Lindje të Mesme”, porositi princi Muhammed.

Duke theksuar se Irani nuk ka gjasa të garojë me Arabinë Saudite në sferën e ushtrisë dhe armatimit, trashëgimtari saudit i fronit tha se vendi i tij nuk dëshiron të ketë bombë atomike, për të shtuar se do të bënte një të tillë, nëse Irani furnizohet me një armë të tillë.

Princi Muhammed të martën pritet të takojë në Washigton presidentin amerikan, Donald Trump, ndërsa mediat amerikane ditë më parë raportuan se Arabia Saudite është duke lobuar për një “dritë jeshile” amerikane për programin bërthamor saudit.

Mediat lajmërojnë se administrata Trump, tashmë po përgatit një marrëveshje bërthamore me Arabinë Saudite, por ka pak gjasa që e njëjta të fitojë mbështetjen e Kongresit.

Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kohë më parë paralajmëroi se SHBA nuk duhet të hyjnë në negociata për çështjen bërthamore me Arabinë Saudite.