Transparency International: Korrupsioni mbetet problemi më i madh i kosovarëve

Raporti i ri i organizatës Transparency internacional, “Barometri Global i Korrupsionit”, ka konstatuar se dy të tretat e personave në Kosovë e renditin korrupsionin si një nga problemet më të mëdha në vend.

Ky raport i cili është zhvilluar në 42 shtete të Evropës dhe Azisë Qendrore, e ka renditur Kosovën të tretën në listë sa i përket mendimit qytetar se korrupsioni është njëri prej tri problemeve më të mëdha me të cilat ballafaqohet vendi, ka bërë me dije Instituti Demokratik i Kosovës që bën pjesë në rrjetin e kësaj organizate.

Në shifra të ngjashme, 67 % e të anketuarve për këtë raport mendojnë se Qeveria e Kosovës nuk është duke bërë punë të mirë në luftimin e korrupsionit.

“Nga vendet e rajonit, Kosova ka veçanërisht një nivel të ulët të ryshfetit me vetëm 10%, edhe pse ka hapësirë për përmirësim tregon që vendi ynë ka arritur që të kontrollojë mit-marrjen në sektorin publik shumë më mirë se shtetet tjera. Në Shqipëri (me 34%) dhe në Bosnje dhe Hercegovinë (27%) ky fenomen është shumë më i përhapur”, ka thënë Artan Canhasi nga KDI.

Ndërsa, në aspektin e përfshirjes së krerëve të shtetit në korrupsion, të anketuarit në Kosovë mendojnë se 46% e zyrtarëve qeveritarë dhe deputetëve janë të përfshirë.

Ndërsa, besimi më i lartë i mospërfshirjes në korrupsion, u takon udhëheqësve fetar pasuar nga Policia e Kosovës.