Trajneri i Trepça ’89 ofron dorëheqjen

Trajneri i Trepça ’89 ka ofruar dorëheqjen pas ndeshjes me me Vikingur.

Skuadra kosovare pësoi humbje të thellë në ndeshjen kualifikuese të fazës së parë të Ligës së Kampionëve.

Fajin për këtë disfatë e ka marrë mbi vete trajneri i Trepça ’89, Zikirija Ramadani duke ofruar edhe dorëheqjen.

“E marr përgjegjësinë për këtë rezultat. E ofroj edhe dorëheqjen. është një rezultat negativ, i papritur, për të cilin unë jam përgjegjës. Do të kem një takim me presidentin dhe nëse është e nevojshme do të largohem. Futbollistët e dhanë maksimumin”, deklaroi Ramadani për “Supersport”.

“Pse nuk luajtën John dhe Idrizi nga fillimi? E dinim që kundërshtari do të luajë mbyllur dhe me lojë të tillë, John nuk është efektiv. Shpëtimi s’mund t’i luajë dy ndeshje për shtatë ditë për shkak të moshës së tij. Unë mendoj që e kemi inkuadruar formacionin më të mirë”, shtoi Ramadani.

“Kartoni i kuq? Nuk dua të gjej arsyetim sepse nuk jemi ekipi i parë që ndëshkohemi me të kuq. Megjithatë, ai ndikoi shumë në rrjedhën e ndeshjes”.

“Ne nuk kemi eksperiencë. Duhet të bëjmë më shumë përvojë për të pasur sukses”.

“Nuk mund të them që ky është niveli i futbollit të Kosovës. Edhe ne edhe Prishtina e pësuam nga euforia”, përfundoi ai.