Trajneri i Maltës: Kosova ekipi më i fortë në grupin tonë

Trajneri i Maltës, Ray Farrugia, është paraqitur në konferencë për shtyp për të publikuar listën me lojtarët e ftuar për dy ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve.

Malta në ndeshjet e tetorit në Ligën e Kombeve përballet me Kombëtaren e Kosovës në Prishtinë, ndërsa tre ditë më vonë udhëton në Baku për t’u përballur me Azerbajxhanin .

Farrugia derisa ka folur për këto dy ndeshje, rëndësi të madhe i ka dhënë përballjes kundër Kosovës, ku kombëtaren e drejtuar nga Bernard Challandes, e cilëson si skuadrën më të fortë në grupin 3.

Kosova pas dy ndeshjeve të zhvilluara në Ligën e Kombeve, kryeson në grupin 3 me katër pikë, pas barazimit me Azerbajxhanin dhe fitoren kundër Ishujve Faroe.

“Këto ndeshje do të jenë shumë të vështira pasi ne do të luajmë në udhëtim kundër favoritëve të grupit”, ka deklaruar trajneri i Maltës, përcjell ‘lajmi.net’.

“Unë e konsideroj Kosovën si ekipin më të fortë në grup, dhe të luash kundër tyre do të jetë një provë masive për ne”, ka shtuar ai.

Ndeshja mes Kosovës dhe Maltës zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë më 11 tetor me fillim nga ora 20:45.

Skuadra e Maltës:

Portierë: Henry Bonello (Valletta); Andrew Hogg (Hibernians); Steve Sultana (Balzan).

Mbrojtës: Andrei Agius (Hibernians; Ferdinando Apap (Victoria Hotspurs); Cain Attard (Birkirkara); Steve Borg (Valletta); Ryan Camilleri (Valletta); Clayton Failla (Floriana); Michael Johnson (Balzan); Joseph Mbong (Hibernians); Joseph Zerafa (Valletta)*.

Mesfushorë: Roderick Briffa (Gżira United); Juan Corbalan (Gżira United); Paul Fenech (Birkirkara); Jake Grech (Birkirkara); Bjorn Kristensen (Hibernians); Rowen Muscat (Valletta); Stephen Pisani (Floriana).

Sulmues: Andrew Cohen (Gżira United); Alfred Effiong (Balzan); Jean Paul Farrugia (Sliema Wanderers); Michael Mifsud (Birkirkara); Andrè Schembri (Apollon Limassol, Cyprus).