Tragjike, humbin jetën dy fëmijë kosovarë në Francë

Dy fëmijë, njëri 5-vjeç e tjetri vetëm 2-vjeç, që të dy shqiptarë nga Kosova kanë humbur jetën pasi kanë rënë në lumin Le Moingt në Montbrison të Francës.

Mediat franceze shkruajnë se të dy fëmijët vëlla e motër ishin duke luajtur buzë lumit, kur më i vogli ra në ujë dhe motra që besohet të jetë më e madhe ka tentuar ta shpëtojë por e ka pësuar edhe ajo pasi është rrëmbyer nga uji.

Sipas autoriteteve franceze, nëna e fëmijëve ishte e pranishme dhe tentoi t’i shpëtonte, por nuk ia doli e vetme. Thirrjes së saj për ndihmë iu bashkuan edhe të tjerë dhe shërbimet e urgjencës por ishte tepër vonë.

Lumi Le Moingt është fryrë shumë kohët e fundit për shkak të reshjeve të shumta të shiut.

Për shkak të humbjes së fëmijëve nëna ka pësuar tronditje dhe është shtruar menjëherë në spital, ndërsa trupat e fëmijëve janë dërguar për autopsi.