Tragjedi në Medinen e Shenjtë, 35 të vdekur nga aksidenti gjatë Umres

 Tridhjetë e pesë shtetas të huaj kanë humbur jetën kur një autobus u përplas me një automjet tjetër të rëndë pranë qytetit të shenjtë të Medinës.

Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit, tha një zëdhënës i policisë së Medines, sipas Agjencisë zyrtare Saudite.

Ata po kryenin pelegrinazhin e Umres dhe po kalonin nga Medina për në Mekë. Të plagosurit janë transferuar në Spitalin Al-Hamna.

Këtë vit rreth 2.5 milion besimtarë udhëtuan në Arabinë Saudite nga e gjithë bota në gusht për të marrë pjesë në pelegrinazhin vjetor të haxhit – një nga pesë shtyllat e Islamit, ndërsa Umre mund të kryhet në cilëndo periudhë të vitit.

Vitin e kaluar, u hap një linjë treni me shpejtësi të lartë që lidh Mekën dhe Medinën në vetëm dy orë e gjysmë, duke përgjysmuar kohën e mëparshme të udhëtimit.

Transportimi i besimtarëve rreth vendeve të shenjta, veçanërisht gjatë haxhit, është një sfidë e madhe për Arabinë Saudite. Gjatë haxhit, rrugët mbushen me mijëra autobusë që krijojnë vështirësi qarkullimi. /Mesazhi/