Tragjedi e re në Mesdhe, dhjetëra të vdekur e qindra të zhdukur

Të paktën 34 persona e kanë humbur jetën, ndërsa qindra të tjerë llogariten të zhdukur pasi dje në Detin Mesdhe është fundosur anija e cila transportonte migrantë, bëhet e ditur nga Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM), raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i IOM-it, Joel Millman, në një deklaratë për AA ka konfirmuar se dje në Detin Mesdhe është fundosur një anije prej druri në të cilën ndodheshin më shumë se 500 emigrantë.

Ai shtoi se deri më sot janë nxjerrë trupat e 34 njerëzve.

“Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me emigrantët e tjerë që kanë qenë në anije. Ne shpresojmë që ata t’i kenë shpëtuar anijet kalimtare. Por, lidhur me këtë ne ende nuk kemi marrë asnjë informacion. Jemi të shqetësuar”, theksoi Millman.

Ai vuri në dukje se në Detin Mesdhe dje janë shpëtuar 2.000 dhe të martën 4.129 emigrantë, që përbën më shumë se 6.000 në shtatë ditët e fundit.

Sipas Millman, që nga fillimi i vitit nëpër Detin Mesdhe në Europë kanë arritur në 60.521 emigrantë ndërsa 1.530 prej tyre kanë humbur jetën.