Tjetër gafë me hartën e Kosovës, Ministrja e arsimit e Shqipërisë: Librin e ndaluam para se të dilte në treg

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama publikoi një video, ku tregohej në hartë se Kosova ishte pjesë e Serbisë dhe jo një shtet i pavarur.

Pas 5 orësh Rama e zëvendësoi videon me një tjetër, postim, por duke mos bërë asnjë reagim për këtë “gafë”.

Sot ministrja e Arsimit, Besa Shahini shkruan se në një libër që përdoret nga nxënësit e klasave të teta në vend ka një tjetër hartë që nuk e njeh Kosovën si shtet.

Shahini shkruan se ky gabim është i paqëllimshëm dhe se ky libër është ndaluar para se të dilte në treg.

Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit.

Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 22 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate.

Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!

Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore.

Por pa diskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë! Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të rinj. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë..