Tiranë, mbahet takimi koordinues i qeverive Shqipëri – Kosovë

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës po mban sot një takim në nivel zv.kryeministrash, ku Erion Braçe dhe Fatmir Limaj po zhvillojnë bisedime lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në Pejë, nëntorin e kaluar.

Takimi po mbahet në Sallën Ovale të pallatit të Kongreseve në Tiranë, dhe qëllimi i takimit është pikërisht zbatimi i marrëveshjeve të Pejës, të nënshkruara në mbledhjen e dy Qeverive.

Ky takim është thirrur nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, në cilësinë e koordinatorit kombëtar të dy qeverive.

Nga Qeveria e Kosovës do të jenë edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ministri i Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Nga Qeveria e Shqipërisë në mbledhje do të marrin pjesë, Erion Braçe, zëvendëskryeministër i Shqipërisë, Sandër Lleshaj ministër i Brendshëm, Anila Demaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri.

Marrëveshjet e nënshkruara në Pejë parashikojnë lehtësime të shumta në raportet mes dy vendeve. Ato duhet zbatohen më së largu deri në qershor të vitit 2019, dhe përfshijnë:

Marrëveshjen për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming.

Protokollin për Kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë.

Marrëveshjen për bashkëpunimin në fushën e borxhit publik.

Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Agjencive për pronësinë industriale.

Protokollin ndërmjet dy ministrive të Bujqësisë

Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e Rinisë.

Marrëveshjen për nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës.

Ndërkaq nesër, po në Tiranë do të mbahet një tryezë me temën “Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë-Shqipëri”. /