Thumbimi i pensionistëve: Pensionet i kemi të mëdha, po na dhimbset qeveria

Pensionistët vazhdojnë të ndihen të lënë ps dore nga Qeveria e Kosovës.

Së fundmi një pensionist nga Gjakova, Kolë Përgjonaj 79-vjeçar, si në ironi nisi disa komente drejt kryeministrit e kabinetit qeveritar.

“Ne gjithë ditën e gatë hymë këtu, herë nën hije herë në diell. I kemi pensionet e mëdha, s’jemi në gjendje nga një kafe me shku me pi. E qeveria po na dhimbset se s’kanë rroga. Bile, në mos u ardhtë keq disa ua qojmë na, me tonat ju ndihmojmë”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Ditë më parë edhe Sekretari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Hasan Berisha, ka thënë se ligji për pensionet nuk po respektohet nga qeveria e Kosovës.

“Me pensionet aktuale në Kosovë, pensionistët nuk mund të dalin as nga pragu i varfërisë”, pati thënë ai në Express të KTV-së.

Pensioni më i lartë në Kosovë është 230 euro.

Berisha kishte deklaruar se pensionistët ndihen të mashtruar nga qeveria aktuale, pasi sipas tij, kur Haradinaj fitoi zgjedhjet premtoi edhe për rritje të pensioneve.

“Ka qenë e paraparë që rritja e pensioneve për 2018 të jetë për 20-30 për qind. Edhe në dhjetor me kohë kemi reaguar, kemi vizituar organet kompetente. Kryeministri na ka prit mirë, dhe na ka premtuar se nëse dikujt i rritet rroga për 1 cent, do të rriten pensionet. Por siç duket kanë harruar” tha Berisha, transmeton Koha.net.

Në kohë fushate, kur Haradinaj ishte kandidat për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, nëpërmjet një postimi në Facebook premtoi se marrëveshjet që ka nënshkruar me Sindikatat dhe pensionistët nuk do të mbesin në sirtarë por të gjitha ato do të jetësohen.

Postimi i Haradinajt në Facebook në qershor të 2017-ës:

Në këtë fushatë zgjedhore bashkë me z. Veseli, për katër ditë me radhë, nënshkruam katër Memorandume Mirëkuptimi me partnerët tanë: Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK); Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) dhe Lidhja e Pensionistëve dhe Invalidëve e Kosovës (LPIK). Qëllimisht po kthehem tek këto marrëveshje sepse ato s’do të përfundojnë në sirtarë e as s’do të harrohen. Përkundrazi. Partnerët që kanë vendosur nënshkrimin në këto Memorandume, por edhe punëtorët dhe pensionistët që përfaqësohen nga këto sindikata, i siguroj se çdo gjë që është shkruar aty do të jetësohet sipas afateve të parashikuara dhe marrëveshjeve të përmbyllura.Jemi bashkë!

Në dhjetor të 2017-ës, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me një vendim ia rriti vetes pagën.

Pagën që e kishte 1 mijë e 500 euro, e ngriti për 100 për qind dhe e bëri 2950 euro në muaj. Në vendim përfshiu edhe ministrat e zëvendësministrat. Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro tani është 2,000 euro. Kurse, mbi 80 zëvendësministra do të pranojnë pagë mujore prej 1,150 euro.

Më shumë se 350 mijë qytetarë të Kosovës janë të përfshirë në skemat sociale dhe pensionale. Pensionistët dhe invalidët e punës patën kërkuar që të ndryshohet Ligji për pensionistët dhe të ndahen pensionet sipas kontributdhënies. Sindikata e Pavarur e Pensionistëve në shkurt të këtij viti akuzoi Qeverinë se po mban peng zbatimin e vendimit të Gjykatës së Strasburgut, sipas të cilit të gjithë kontributdhënësit e periudhës deri më 1999 gëzojnë të drejtën e pensionit nga Serbia.

Pensionistët kohë pas kohe kanë shfaqur mospajtime dhe janë ndjerë të shqetësuar se kjo gjeneratë, është duke u përbuzur nga Qeveria. Gjendja e tyre është lënë pas dore, dhe në disa deklarata të fundit, ata kanë thënë se nuk kanë as vende ku të takohen, ku të lexojnë së bashku apo të kalojnë kohë, madje kanë pak shërbime pa pagesë.

Kujtojmë gjithashtu se në vitin 2014 u miratua Ligj për Skemat Pensionale që i ka rregulluar disa çështje.

Shuma e pensionit kontributpagues nga muaji janar 2016 ka pësuar ndryshime ku pensionet paguhen sipas kategorizimeve në bazë të nivelit të shkollimit. Pensionistët kontributpagues, sipas kësaj, ndahen në katër kategori dhe pensionet sillen prej 158 eurosh për kategorinë e parë për pensionistët e pa shkollim formal ose me shkollim fillor. Kategoria e dytë – pensionistët me arsim të mesëm – shuma e pensionit është 172 euro. Kategoria e tretë –pensionistët me arsim të lartë – shuma e pensionit është 186 euro. Kategoria e katërt – pensionistët me arsim universitar – shuma e pensionit është 230 euro.

Këtu përfshihen vetëm pensionet e pensionistëve kontributpagues, numri i të cilëve sillet mbi 43 mijë vetë. Numri më i madh i pensioneve shkon për pensionistët e moshës, të cilët për muaj paguhen 75 euro.