Theresa May: Ka gjasa të zgjatet periudha kalimtare e Brexit

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë sot se ka mundësi të ketë zgjatje të procesit kalimtar dhe largimit të vendit nga Bashkimi Evropian (Brexit), raporton Anadolu Agency (AA).

May po qëndron në një vizitë zyrtare në Bruksel për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian, ndërsa në adresimin e saj tha se është bërë një përparim në negociatat për Brexit.

“Kanë mbetur disa probleme të tjera që lidhen me çështjen e kufirit të Irlandës së Veriut. Gjithashtu kanë ngelur edhe disa çështje lidhur me masat e ardhshme në vetë marrëveshjen”, tha May.

Ajo përsëriti se propozimi i paraqitur nga BE-ja është i papranueshëm për Londrën zyrtare për shkak se parashikon ngritjen e mureve doganore ndërmjet Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Britanisë së Madhe.

Ajo shtoi se Britania propozon që në procesin e tranzicionit Mbretëria e Bashkuar të mbetet në tërësi si union doganor.

“Gjatë takimeve të djeshme erdhi një ide e re, sipas së cilës procesi kalimtar mund të zgjatet për disa muaj”, tha May, duke shtuar se personalisht pret që në përputhje me idetë fillestare ky proces të zgjasë deri në fund të vitit 2020.

Britania përmes një referendumi në qershor të vitit 2016, vendosi të largohet në BE-ja urse procesi i largimit zyrtarisht filloi në fund të marsit të vitit të kaluar.

Rrjedhimisht, Britania më 29 mars të vitit të ardhshëm do të largohet nga Unioni, pa marrë parasysh nëse arrihet apo jo marrëveshje midis Brukselit dhe Londrës mbi detyrimet reciproke dhe marrëdhëniet e ardhshme. Periudha kalimtare parashikon një afat në të cilin Britania mbetet e lidhur me rregullat e BE-së.