Thellohet tragjedia, shkon në 16 numri i të vdekurve nga tërmeti

Ka shkuar në 16 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit që goditi Shqipërinë mëngjesin e sotëm.

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë konfirmon se 16 persona kanë humbur jetën, mes tyre një fëmijë, ndërsa vijojnë aksionet për kërkim-shpëtim të personave të mbetur nën rrënoja.

10 persona konfirmohet se janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat në Durrës dhe 5 në Thumanë, ndërsa 1 person në Kurbin, pasi u hodh nga ballkoni pas panikut.

Sipas njoftimeve zyrtare janë të paktën mbi 600 persona të lënduar.

Nën rrënoja raportohet se gjenden edhe dy vëllezër nga Kosova, Shemsedin e Isa Abazi.

Ndërkohë për në Shqipëri janë nisur edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës si dhe Njësitë e Policisë nga Kosova.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka ndarë edhe 500 mijë euro si ndihmë për shtetin shqiptar