Thaçi: Thirrjet e Kurtit për luftë janë qesharake, absurde dhe të rrezikshme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka komentuar deklarimet e fundit të liderit të VV-së Albin Kurti. Thaçi ka theksuar se shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran e ka forcuar paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor.

“Për më tepër, liria dhe pavarësia e Kosovës i ka dhënë fund luftërave të përgjakshme të shekullit të kaluar”, ka thënë Thaçi për Express.

Por, si gjithmonë, sipas presidentit Thaçi, ka akterë të ndryshëm të cilët nuk përshtatën dhe nuk e pranojnë paqen dhe bashkëpunimin për arsye të ndryshme.

“Fatkeqësisht, zëra të tillë të vetmuar që kanë humbur arsyen ka edhe në Kosovë. Prandaj konsideroj se pretendimet dhe thirrjet e tyre për luftë dhe konflikt aq sa janë qesharake, absurde, ato janë të rrezikshme dhe të papranueshme”.

Thaçi ka ftuar qytetarët e Kosovës, që të mos ndikohen nga deklaratat e Kurtit.

“I ftoj qytetarët e Kosovës që mos të bien pre e deklaratave dhe thirrjeve të tilla luftë nxitëse. Kosova ka institucionet e veta shtetërore që së bashku me NATO-n kujdesen për lirinë dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës”.