Thaçi sqaron deklaratën e Zaevit, se “Kosova do t’ia japë Serbisë 10 komuna”

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka sqaruar deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dëgjohet në një telefonatë duke thënë se me planet e Thaçit e Vuçiqit për shkëmbim territoresh, Kosova do t’ia japë Serbisë 10 komuna. “Jemi kundër, kjo është një bombë e kurdisur”, thotë Zaevi.

Lidhur me këtë, Thaçi ka thënë se e ka telefonuar Zaevi dhe i ka sqaruar se kishte rënë pre e një mashtrimi dhe se deklarata të cilat ai i kishte thënë se Kosova do t’ia japë Serbisë 10 komuna, i ka thënë duke u bazuar në thashetheme dhe jo në informata zyrtare, raporton lajmi.net.

“Unë mbrëmë kamë biseduar me Zaev, kryeministri Zaev ka kërkuar që të bisedoj për t’u sqaruar dhe ka thënë shumë qartë që ka qenë një rrethanë në të cilën ka ra pre e një mashtrimi dhe gjithë ajo çka ka folur për gjoja 10 komunat e Kosovës do t’i japën Serbisë, i ka folur duke u bazuar në thashetheme. Ato janë gjera të cilat nuk qëndrojnë në raport me Kosovës dhe se në të njëjtën kohë ka potencuar qartë se nuk ka asnjë informacion zyrtarë për atë që ka deklaruar por të gjitha i ka të bazuar nga thashethemet dhe nga lajmet e rrejshëm nga gazeta serbe “Blic”. Raportet me Maqedoninë e veriut kanë qenë dhe do të mbesin të mira. Personalisht kamë zhvilluar fushatën mbështetëse për të hapur rrugë e Maqedonisë drejt NATO-s, ndryshimin e emrit e etj”, ka theksuar Thaçi.