Thaçi priti fituesit e medaljeve në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore 2017

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka pritur atletët Kushtrim Veseli dhe Medina Surdulli, të cilët fituan tri medalje në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore 2017, të mbajtura në Schladming të Austrisë.

Presidenti Thaçi është shprehur shumë krenar me fitoren e tyre.

“Kam qenë i bindur në fitoren tuaj. Ne jemi shumë krenarë me ju, sepse fitoret tuaja nderojnë edhe shtetin e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Nga Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore 2017, dy atletët tanë u kthyen në Kosovë me tri medalje, një medalje të arit dhe dy medalje të argjendta.

Atleti i Olimpiadës Speciale të Kosovës, Kushtrim Veseli, fitoi dy medalje në dy kategori.

Në kategorinë e skijimit “Alpine Novice Giant Slalom”, atleti Veseli fitoi vendin e parë dhe u dekorua me Medaljen e Artë, kurse në kategorinë “Alpine Novice Slalom”, ai fitoi vendin e dytë dhe u dekorua me Medaljen e Argjend.

Ndërkaq, atletja Medina Surdulli fitoi vendin e dytë në kategorinë “Alpine Novice Giant Slalom” dhe u dekorua me Medaljen e Argjend.

Presidenti Thaçi u premtoi mbështetje për pjesëmarrje edhe në olimpiada të tjera dhe i inkurajoi që të punojnë dhe të përgatiten për sukseset e radhës.

Në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore morën pjesë atletë nga rreth 150 shtete të botës.