Thaçi, Mustafa e Pacolli urojnë Fitër Bajramin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka uruar Fitër Bajramin të gjithë besimtarëve islam.

Ai ka thënë se qytetarët gjithmonë e më shumë po e thellojnë frymën e tolerancës.

Ky është urimi i tij:

Të gjithë besimtarëve myslimanë ua uroj festën e Fitër Bajramit.
Në këto ditë feste, që gjithmonë kremtohen me solidaritet dhe humanizëm të madh, me unitet dhe mirëkuptim mes njerëzve, ne çdo herë e më shumë po ndajmë me njëri-tjetrin vlerat që kemi, po ndajmë devotshmërinë tonë dhe po e thellojmë edhe më shumë frymën e tolerancës.

Qytetarët tanë gjithmonë kanë qenë të bashkuar rreth kultivimit të këtyre vlerave humane.

Mustafa: Ramazani dhe Bajrami forcojnë besimin dhe vlerat e larta njerëzore

Kryeministri Isa Mustafa ka uruar festën e Fitër Bajramit, duke theksuar rëndësinë e Muajit të Ramazanit si një muaj i Shenjtë, muaj i sakrificës, dashurisë e mirësisë.

Mustafa ka thënë se festa të tilla janë të mira që të fuqizohet përkushtimi dhe vendosmëria për të ardhmen.

Ky është urimi i plotë i tij:

Urimet më të përzemërta për besimtarët myslimanë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e përfundimit të Muajit të Ramazanit dhe kremtimit të Festës së Fitër Bajramit.

Muaji i shenjtë i Ramazanit dhe përmbyllja e tij me Festën e Bajramit, forcojnë besimin dhe vlerat më të larta njerëzore të humanizmit, sakrificës, dashurisë dhe mirësisë.

Festat e tilla janë, po ashtu, një rast i mirë për njerëzit e vullnetit të mirë që të fuqizojnë përkushtimin dhe vendosmërinë për të ardhmen. Urime!

Pacolli: Urime Fitër Bajrami besimtarëve islamë

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli i ka uruar besimtarët myslimanë festën e Fitër Bajramit.

Ai ka uruar që të gjithë qytetarët të bashkuar të festojnë në begati dhe harmoni.

Ky është urimi i plotë i tij:

Të nderuar qytetarë,

Më lejoni që në emër të Aleancës Kosova e Re dhe në emrin tim personal, t’Jua uroj festën e Fitër Bajramit të gjithë qytetarëve të besimit Islam. Në këtë ditë të veçantë, pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, muajit të mëshirës, solidaritetit dhe paqes, uroj që të gjithë qytetarët e Kosovës të bashkuar të festojnë në begati dhe harmoni.

Në këtë ditë kremte, le të reflektojmë për punën dhe obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, familjes, miqve dhe shoqërisë. Të shtrijmë dorën e ndihmës për të gjithë ata që kanë nevojë dhe të punojmë me përkushtim, për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për vendin tonë, duke kultivuar kështu traditën e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore si vlera të rëndësishme të popullit tonë.