Thaçi kritikon deputetët

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vlerëson se mosmiratimi i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale në Kuvendin e Kosovës është kthim prapa në përpjekjet tona për forcimin e sundimit të ligjit.

“Nuk është hera e parë që Kuvendi i Kosovës dështon miratimin e ligjeve të rëndësishme në mungesë të kuorumit. Përkundër respektimit të punës dhe pavarësisë së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dështimet e kësaj natyre janë të pajustifikueshme”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Përveç presidentit Thaçi, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se ndihet i zhgënjyer me politikanët në Kosovë, gjegjësisht me deputetet të cilët sot nuk arritën që ta miratojnë Projektligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

Projektligji në fjalë ka dështuar të kalojë në Kuvendin e Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit.