Thaçi fton investitorët turq që t’i rrisin investimet në Kosovë

Gjatë vizitës zyrtare në Turqi, presidenti Thaçi është nderuar edhe me titullin “Doctor Honoris Causa” në universitetin “TOBB”, si dhe ka vizituar Odën Tregtare të Ankarasë, ku ka folur për potencialin ekonomik të Kosovës dhe ka ftuar investitorët potencialë që të investojnë në Kosovë.

Në takimin e organizuar nga Oda Tregtare e Ankarasë, që ka mbi 150 mijë anëtarë, presidenti Thaçi ka thënë se investitorët nga Turqia kanë bërë disa prej investimeve më të rëndësishme në Kosovë.

“Këta kanë hapur rrugën edhe për investitorë dhe investime tjera”, është shprehur presidenti Thaçi.

Pasi ka treguar me shifra për nivelin e bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Turqisë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është “shtet i ri me potencial të madh” dhe ka shpalosur mundësitë për investime në bujqësi, energji, xehetari dhe sektorët e tjerë.

Në Universitetin për Ekonomi dhe Teknologji “TOBB”, presidenti Thaçi ka pranuar titullin “Doctor Honoris Causa” me motivacionin për kontribut në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, për të arritura në zhvillim ekonomik dhe social, për paqe në Ballkan, dialog mes komuniteteve dhe zhvillim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë.

Në fjalimin e tij, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova ka arritur shumë prej se është shpallur shtet i pavarur.

“Ende nuk janë bërë as 9 vite që nga shpallja e pavarësisë dhe Kosova ka nënshkruar MSA-në me BE-në, që është mirënjohje e sukseseve të Kosovës në reformat në ekonomi, në instalimin e ligjit e rendit dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike”, është shprehur presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova sot është shembull i dialogut, pajtimit dhe bashkëpunimit për një të ardhme më të mirë.

oda1odaoda33