Thaçi bën homazhe edhe tek të rënët e familjes Jashari

Në ditën e parë të funksionimit të ushtrisë së Kosovës, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe edhe tek varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Ai aty ishte i shoqëruar nga kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari dhe Sami Lushtaku.

“Prekazi dhe sakrifica e familjes së Adem Jasharit është vendi i respektit dhe sakrificës dhe i vlerësimit më të lartë për të arriturat e lirisë së Kosovës, të pavarësisë, si dhe nga dje edhe të ushtrisë së Kosovës. Të tëra këto procese të arritura janë rezultat i luftës së UÇK-së, familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe qytetarëve, prandaj në ditën e parë të funksionimit të ushtrisë së Kosovës, sot jam këtu së bashku me kryetarin Jashari dhe Lushtaku që të bëjmë nderimet më të larta kombëtare institucionale dhe shtetërore për jetën dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të lirisë”, shkruan klankosova.

“Kjo po tregohet se po realizohen objektivat dhe amaneti i dëshmorëve të lirisë, komandantëve të UÇK-së, luftëtarëve të rënë në istikame për konsolidimin e shtetit tonë për zhvillim dhe integrim në NATO dhe bashkimin evropian. Edhe një herë urime gjithë Kosovës”, deklaroi Thaçi për mediat e pranishme aty.