Thaçi akuzon ata që ia refuzuan dekoratat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas disa refuzimeve që u bënë për dekoratat që ai i ndanë në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Thaçi ka bërë të ditur se deri më tani nga 20 propozime që i ka shqyrtuar, 13 i ka refuzuar, kurse 7 tjera janë pranuar.

“Në tavolinën e punës kam hiq më pak se 500 emra të personaliteteve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, të propuzuar, por edhe të vetëpropozuar për marrjen e Medaljes Presidenciale të 10 Vjetorit të Pavarësisë.

Deri më tani kam shqyrtuar jo më shumë se 20 propozime, 13 prej të cilave tanimë janë refuzuar dhe 7 janë aprovuar.

Të tjerat do t’i shqyrtoj në ditët dhe javët në vijim”, ka shkruar Thaçi në facebook.

Ai ka thënë se askush nuk mund të jetë i dekoruar edhe nga Serbia, por edhe nga Kosova.

“Disa deklarata të individëve janë të pasakta. Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar. E kuptoj frustrimin e disave, por sipas kritereve të mia, nuk mund të jesh i dekoruar edhe nga shteti i Serbisë për kontributin e dhënë për Jugosllavinë dhe ai i Kosovës njëkohësisht. Do t’i zbatoj me përpikëri kriteret kushtetuese, ligjore dhe kombëtare, dhe sa për sqarim, propozimet nuk janë dekorim”, thotë presidenti i vendit.

“Të refuzuarit nuk do të marrin përgjigje publike, sepse nuk dua t’i lëndoj. Të dekoruarit do të njoftohen zyrtarisht”, përfundon postimi i Thaçit në Facebook.

Ndryshe në media u raportuar që medaljen e presidentit e kishin refuzuar Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Veton Surroi dhe të tjerë.