Tërnava: Kërshëndellat simbolizojnë lindjen, jetën dhe mbarësinë

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava me rastin e Kërshëndellave, i ka dërguar telegram urimi ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergjit në të cilin thuhet se festat fetare tek ne gjithherë kanë kultivuar vlera e virtyte humane, hyjnore e sociokulturore, të cilat që na kanë bashkuar e fisnikëruar si dhe kanë kultivuar, promovuar e reflektuar respektin, dashurinë, mirëkuptimin, tolerancën, ndërgjegjësimin, paqen e qetësinë.

Ja urimi i plotë:

I nderuari ipeshkv Dodë Gjergji,
Me rastin e festës së Kërshëndellave, me respekt ju uroj e përgëzoj Juve, të gjithë meshtarët tuaj, si dhe besimtarët e krishterë duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e lumturi.

Kërshëndellave në vete simbolizojnë lindjen, jetën, mbarësinë dhe mesazhin për një shoqëri të ndershme e të moralshme, parime këto humane për të cilat njerëzimi ka nevojë gjithherë.

Zotni Ipeshkëv, festat fetare tek ne gjithherë kanë kultivuar vlera e virtyte humane, hyjnore e sociokulturore, të cilat që na kanë bashkuar e fisnikëruar si dhe kanë kultivuar, promovuar e reflektuar respektin, dashurinë, mirëkuptimin, tolerancën, ndërgjegjësimin, paqen e qetësinë.

Duke ju përshëndetur, Ju dëshiroj shëndet, mbarësi e lumturi.

Me respekt,

Myftiu i Kosovës

Mr. Naim Tërnava