Tërnava: Atakimi i objekteve fetare akt i papranueshëm

Bashkësia Islame e Kosovës me anë të një komunikate ka dënuar dëmtimin e xhamisë në Velekincë të Gjilanit.

Në reagim thuhet se atakimi i objekteve fetare, pavarësisht motiveve është akt i papranueshëm dhe si i tillë edhe i dënueshëm, ndërsa rastet e tilla nxisin urrejtje, mos durim e dhunë aq më tepër kur janë përdhosur e atakuar simbolet fetare dhe ato kombëtare nga një individ i një nacionaliteti e një feje tjetër.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava kërkoi nga të gjithë që rastin në fjalë ta trajtojnë me përgjegjësinë e duhur, pa e heshtur por edhe pa e ekzagjeruar.

“Kërkojmë nga organet kompetente të marrin masat e duhura për sigurinë e objekteve fetare që mos të bien pre e individëve që kanë qëllim të errëta. Nga ana jonë mbetemi të përkushtuar për kultivimin e tolerancës, mirëkuptimit e mirëbesimit në vendin tonë”, thuhet në reagim. /