“Termokos” i gatshëm për këtë dimër

Fillimi i muajit tetor bënë që shumë qytetarë të bëhen gati për ngrohje. Ndërsa qytetarët e Prishtinës janë në pritje e sipër për fillimin e ngrohjes nga “Termokosi”.

Zëdhënësja e këtij institucioni, Afërdita Uka-Fejzullahu thotë për “Indeksonline” se të gjitha përgatitjet dhe punimet, që janë zhvilluar në terren janë në funksion të përgatitjes sa më të mirë për një fillim të suksesshëm të sezonit ngrohës.

Sipas saj, punimet për rehabilitimin e 50 nënstacioneve të ngrohjes dhe rehabilitimin e rreth 10 km gypa të rrjetit ekzistues të ngrohjes janë në përfundim e sipër.

“Pjesa më e madhe e punimeve në rrjetin e ngrohjes do të përfundojnë me kohë, me përjashtim të ndonjë segmenti, ku mund të ketë vonesa disa ditësh”, ka thënë Uka-Fejzullahu

Ndërsa sipas informacioneve të “Termokos”-it, për pjesën dërmuese të afro 13 mijë konsumatorëve furnizimi me ngrohje do të fillojë më 15 tetor.

“Zgjerimi i rrjetit në lagje të reja sipas Projektit të kogjenerimit do të ketë dy vitet e ardhshme (2017-2018), për të cilin fazë Komisioni Evropian ka ndarë 8.3 milion euro, ndërsa Qeveria Gjermane nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim 5 milion euro”, ka theksuar Uka-Fejzullahu.

Gjithashut, sipas Uka-Fejzullahut, për këtë sezon ngrohës janë kyçur disa objekte institucionale: Ministria e Punëve të Jashtme, administrata e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dekanati i ri Fakultetit të Mjekësisë, Ambulanca Specialistike dhe Administrata e Përgjithshme e QKUK-së.

Sipas saj, “Vlen të ceket se burimi i energjisë termike gjatë sezonit të fundit ka qenë nga KEK-u dhe nuk është shfrytëzuar fare mazuti. Ky kapacitet ka qenë i mjaftueshëm për të furnizuar me ngrohje cilësore rreth 13 mijë konsumatorë për 24 orë pa ndërprerë përgjatë gjithë sezonit ngrohës. Nisur nga ky fakt, sigurisht se kapaciteti termik, që marrim nga KEK-u do të jetë i mjaftueshëm për të ofruar ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për gjithë konsumatorët tanë edhe sezonin e ri ngrohës 2016/2017”.