“Tërmeti i vitit 2017 në Kore të Jugut ka qenë artificial”

Një hetim i qeverisë të cilit i ishin bashkuar sizmologë ndërkombëtarë, ka zbuluar se tërmeti i vitit 2017 i cili lëkundi një qytet port në juglindje të Koresë së Jugut, është shkaktuar nga një aktivitet njerëzor thellë brenda tokës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në nëntor të vitit 2017, tërmeti prej 5.4 ballësh sipas shkallës së Rihterit, goditi qytetin Pohang duke lënë pa kulm mbi kokë rreth 1.300 njerëz.

E përditshmja koreane “The Chosunilbo” shkruan se një ekip i emëruar nga Qeveria e Koresë së Jugut ka përpiluar një raport në të ciln shkruan se “dridhja ndodhi për shkak të zhvendosjeve të cilat i ka shkaktuar presioni i shtuar hidraulik”.

“Presioni u krijua pasi një central gjeotermik në afërsi ka injektuar çdo ditë rreth 900 tonë ujë në tokë”, thuhet në raport.

Epiqendra e tërmetit ishte vetëm 600 metra larg nga termocentrali gjeotermik.

Qeveria e Koresë së Jugut nisi hetimin në mars të vitit të kaluar, duke përfshirë edhe sizmologë të huaj.

E përditshja koreane shkruan se tërmeti në Pohang, ishte dridhja e dytë më e madhe e regjistruar në Gadishullin Korean, që kur kanë filluar matjet me shkallën Richter në vitin 1978.

Profesori Lee Kang-keun nga Universiteti Kombëtar në Seul, i cili udhëhoqi ekipin qeveritar, në konstatimin e tij shkruan se tërmeti nuk ishte një fatkeqësi natyrore.

“Një sërë dridhjesh të vogla kanë ndodhur pas injektimit të ujit në tokë, gjë e cila më vonë shkaktoi tërmetin masiv”, thotë ai.

Raporti i lartpërmendur thekson se për nevojat e prodhimit të energjisë gjeotermale ishin shpuar dy vrima në një thellësi prej mbi 4 kilometra.

Një grup i shoqërisë civile po shqyrton mundësinë që të padisë qeverinë, për çka avokatët thonë se dëmshpërblimi mund të arrijë në 4.4 miliardë dollarë, nëse të gjithë qytetarët e Pohangut marrin pjesë në padi.