“Tërmet” në qeverinë britanike, japin dorëheqjen katër ministra

Janë katër ministrat që kanë dhënë dorëheqjen nga qeveria e kryeministres britanike Tereza Mej, pas prezantimit të marrëveshjes me Bashkimin Europian për Brexit. Ministri i Punës, ai i Irlandës së Veriut, ministri për Brexit dhe zëvendësministrja u deklaruan kundër kësaj marrëveshjeje.

Tërmet në qeverinë e Tereza Mej pas arritjes së marrëveshjes me Brukselin për Brexit. Ministri për marrëveshjen me Bashkimin Europian, Dominic Raab, ministrja e punës MekVei dhe ai për Irlandën e Veriut, kanë dhënë dorëheqjen. Me anë të një mesazhi në Tuiter, tashmë ish ministri Raab u shpreh se nuk mund të mbështeste kushtet e marrëveshejs. E menjëhereshme ishte dhe dorëheqja e zëvendës ministres për Brexit Suela Brejvërmen. Ndërsa Mekvej këmbëngul se kjo marrëveshje nuk nderon rezultatin e referendumit.

Najxhel Faraxh, eurodeputeti themelues i Ukip, një nga bashkëautorët e BREXIT, u shfaq i entuziazmuar për dorëheqjen e ministrit Dominik Raab. Me anë të një mesazhi në Tuiter ai u shpreh se ishte në pritje të dorëheqjes së kryeministres Mej. Menjëherë pas marrëveshjes, Faraxh u bëri apel ministrave të Mej që të largoheshin nga qeveria duke e cilësuar marrëveshjen si më të keqen në histori.

Por pavarësisht dorëheqjeve të njëpasnjëshme, kryeministrja britanike Tereza Mej ka këmbëngulur se marrëveshja e arritur me Bashkimin Europian është një zgjedhje e bërë në interes të vendit. Ajo premtoi se kjo marrëveshje do të garantojë daljen e vendit nga Bashkimi Europian në kohën e duhur, dhe se alternativa e vetme e saj do të ishte mungesa totale e një marrëveshjeje. Ajo pranoi se negociatat kanë kërkuar zgjedhje të vështira dhe se respektonte vendimin e Dominik Raab dhe të tjerëve që dhanë dorëheqjen, por nuk i kuptonte. Ajo ka mohuar në mënyrë kategorike mbajtjen e një referendum të dytë për këtë çështje. Dhe vlera e stërlinës vuan pasojat e situatës politike të krijuar në vend pas dorëheqjes së ministrave, duke shënuar rënie përballë euros dhe dollarit./abcnews.al