Tërhiqet Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike

Kryeministri Haradinaj ka propozuar tërheqjen e Projektligjit për Financimin e Partive Politike.

Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, teksa ka shkruar se arsye e një veprimi të tillë janë shqetësimet e Shoqërisë Civile, shkruan lajmi.net.

Haradinaj po ashtu ka thënë se tërheqjen e Projektligjit në fjalë do ta inicojë në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

Ky është postimi i Haradinajt në Facebook:

Pas shqetësimeve të ngritura nga Shoqëria Civile sa i përket ndryshimeve që i janë bërë Projektligjit për Financimin e Partive Politike, gjatë punës në Komisionet Parlamentare, kam propozuar që në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës të merret vendim për tërheqjen e këtij projektligji nga Kuvendi i Kosovës.
Duke e ditur rëndësinë që ka ky Projektligj, për zhvillimin e demokracisë në vend, nevojës së transparencës në funksion të politikbërjes dhe përfshirjes së të gjitha palëve në krijimin e tij, tërheqja e projektligjit dhe ridërgimi i tij, me bazë të mirë ligjore dhe demokratike, është veprim i duhur!.