Telekomi me 60 milionë euro borxhe, ja edhe për sa muaj mund të funksionojë

Kryesuesja e bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri Berisha ka raportuar para Qeverisë për gjendjen e Telekomit, duke thënë se ata gjenden në një krizë të thellë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Shatri ka thënë se në fillim të këtij muaji bordi ka filluar punën duke analizuar gjendjen në të cilën gjendet Telekomi.

Sipas saj, ata kanë 60 milionë euro borxhe dhe se janë në gjendje t’i paguajnë vetëm 18 milionë prej tyre.

Shatri ka shtuar se gjendjen e kësaj e rëndon edhe numri i madh i punëtorëve, dhe se problem kyç tjetër është edhe kalimi në kodin 383, pasi, sipas saj, mungojnë mjetet për këtë gjë. Sfidë tjetër mbetet mbyllja e borxhit me Z Mobile.

“Problemet kyçe të cilat rrezikojnë Telekomin janë kalimi në kodin 383 pasi tani edhe mungojnë mjetet. Sfidë tjetër është mbyllja e borxhit me Z mobile. Pra, ekziston rreziku real i falimentimit. Por, rreziku tjetër i madh bie edhe nga paditë që do rezultojnë”, ka thënë ajo.

Sipas Shatrit, daljen nga kriza ata e shohin përmes kredive nga aksionari; kredive nga bankat apo edhe tërheqjen e investitorëve të huaj.

“Nëse nuk do të ndërmerren hapa, Telekomi do të vazhdojë të funksionojë edhe 12 muaj, dhe pas kësaj kohe korporata nuk do të ju takojë më juve si aksionar, por do t’iu takojë borxhelinjëve”, ka shtuar ajo, duke iu drejtuar Qeverisë së Kosovës.

Haradinaj kërkoi që këto të gjetura të ia dërgojnë dhe me shkrim dhe se do të thirrin mbledhje dhe do diskutojnë për këtë çështje, duke sugjeruar bordin të mendojnë politikat e tregut për mbijetesë.

“Nuk është e logjikshme që t’i përgjigjemi ne si Qeveri-“Valës” për një “gropë” të madhe të borxheve”, ka thënë Haradinaj.