Teatri i operës La Scala refuzon tentativën e Arabisë Saudite për partneritet

Teatri i famshëm i operës në qytetin e Milanos në Itali, La Scala, ka penguar tentativën e Arabisë Saudite për të hyrë në bordin drejtues duke ofruar mbështetje financiare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryebashkiaku i Milanos dhe kreu i La Scala, Guiseppe Sala, tha se përmes një vendimi unanim në bordin drejtues të teatrit, është refuzuar marrëveshja për anëtarësimin e Arabisë Saudite.

Sala u tha gazetarëve se është refuzuar marrëveshja e arritur në këmbim të 15 milionë eurove me ministrin saudit të Kulturës Badr bin Farhan për hyrjen e qeverisë saudite në periudhë prej pesë vitesh në bordin drejtues të La Scalas, dhe se teatri do të kthejë edhe këstin e parë tashmë të paguar në vlerë prej 3,1 milionë eurosh.

Sala theksoi se tashmë janë kthyer në fillim të projektit për bashkëpunim me La Scala përmes financimit dhe se janë të hapur për ofertat e reja që do të vijnë.

Më herët, disa politikanë dhe artistë në Itali kanë kërkuar dorëheqjen e Alexander Pereira, drejtuesit ekzekutiv australian të teatrit i cili ka firmosur marrëveshjen në fjalë.

Sala tha se detyra e Pereiras “nuk është çështje diskutimi” dhe se mandati i tij do të përfundojë në vitin 2020.

Edhe pse Sala nuk dha detaje për arsyet e refuzimit të marrëveshjes, media italiane ka shkruar se vendimi është marrë për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite.

Marrëveshje midis La Scala dhe Arabisë Saudite kishte shkaktuar reagime të ashpra në Itali, veçanërisht në mesin e partive me pikëpamje të djathta.