Të izoluar prej 55000 vitesh, tani rrezikojnë zhdukjen / FOTO

Foto të rralla tregojnë jetën e një fisi të izoluar nga pjesa tjetër e botës për më shumë se 55000 vjet.

Në ditët e sotme kanë mbijetuar vetëm 400 individë nga tribuja Jarawa që ndodhet në ishujt Andaman në Oqeanin Indian dhe fatkeqësisht ekziston një mundësi që kjo popullsi të zhduket në dhjetë vitet e ardhshme.

Kërcënimi kryesor i ekzistencës së tyre është një autostradë që kalon përmes tokës së tyre, të paktën kështu raporton “Survival International”, një organizatë bamirësie. Rruga do të sjellë turistë në territorin e fisit Jawara dhe ata akuzohen se do t’i trajtojnë si “kafshë në safari”. Për më tepër gjuetarë kafshësh të egra mund të shfarrosin edhe faunën e zonës, që është jetike për mbijetesën e fisit.

Ata i kanë mbijetuar kolonizimit britanik në shekullin e XIX dhe pushtimit japonez më vonë, ndërsa vetëm në vitin 1998, disa prej tyre dolën nga territori për të vizituar vendbanime të tjera. Por edhe pse në vitin 1990 qeveria indiane vendosi t’i shpërngulte, planet u anulluan rreth vitit 2000.