Të gjithë në Romë, s’mbetet kush për të qeverisur

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa, gjenden në Romë të Italisë.

Në intervale të ndryshme kohore të tre drejtuesit më të lartë të shtetit kanë udhëtuar drejt Vatikanit ku nesër do të mbahet ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës.

Por që të tre ata, me këto udhëtime, e kanë shkelur rëndë Ligjin për Protokollin e Shtetit. Kjo pasi vendi ka mbetur pa asnjërin prej tre zyrtarëve më të lartë të Republikës, veprim që nuk lejohet.

Kjo është e sanksionuar në Ligjin Nr. 03/L-132 për protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, saktësisht, kreu IV që flet për ceremonialin zyrtar të autoriteteve të larta të shtetit.

Në këtë Ligj, në nenin 19, pika 4, saktësisht shkruan se “ Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”.

Arsyeja pse Protokolli i Shtetit që funksionin në kuadër të Ministrisë së Punëve të jashtme e që merret me të gjitha përgatitjet e vizitave brenda e jashtë vendit të zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë edhe ministrit të Punëve të Jashtme është që vendi të mos mbetet me vakuum institucional.

Kjo pasi me Kushtetutën e republikës, është e qartë se kush çfarë kompetencash ka në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore, trazire apo gjendje të ngjashme të paparashikuar.

Përveç këtyre tre zyrtarëve të lartë, askush tjetër nuk mund të japë urdhra që mund të zbatohen. Sipas Kushtetutës, nëse Presidentit i pamundësohet marrja e një vendimi apo urdhri për shkaqe objektive, atëherë kompetencat kalojnë tek kryetari i Kuvendit. E në rast se edhe ky nuk mund të ushtrojë detyrën, atëherë ato barten tek kryeministri.

Nuk dihet nëse këto rrethana dhe Ligji i Protokollit janë marrë parasysh nga Thaçi, Veseli e Mustafa kur kanë vendosur që njëkohësisht në jenë jashtë vendit në udhëtim në Romë, por bazuar në njoftimet e dërguara ata nuk e kanë bërë këtë.

Sot (e shtunë), Zyra e Presidentit me komunikatë zyrtare njoftoi se Thaçi ka udhëtuar për në Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë.

Pas ceremonisë së shenjtërimit, presidenti Thaçi në mbrëmje do të jetë i pranishëm edhe në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë.

Por edhe zyra e kryetarit të Kuvendit ka njoftuar se Veseli tashmë ndodhet në Romë. Në njoftimin zyrtar të lëshuar sot (e shtunë) shkruan se ai po qëndron në Romë, ku merr pjesë në ceremonitë solemne të organizuara për nder të shenjtërimit të Nënës Terezë.

Në anën tjetër, edhe zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Mustafa merr pjesë në ceremonitë e organizuara në Romë.

Në deklaratën e lëshuar sot (e shtunë) për media shkruan se kryeministri

së bashku me një delegacion të lartë të Qeverisë së Kosovës po qëndron në Romë, ku do të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare të organizuara për nder të shenjtërimit të Nënës Terezë.

Përveç tyre, tashmë në Romë ndodhet edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, zv.ministri, dhe a deputetë të tjerë të Kuvendit.

Në këtë situatë kur krerët e shtetit ndodhen jashtë vendit, Kosova bazuar në Ligjin për Protokollin dhe Kushtetutë, ka mbetur në mëshirë të qetësisë qytetare.