Tankeri iranian i naftës largohet nga Gjibraltari

Tankeri iranian i naftës, i cili u konfiskua në fillim të muajit korrik në Gjibraltar, është larguar nga Gjibraltari dhe është nisur për në Iran, njoftojnë mediat iraniane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kanali televiziv gjysmë-zyrtar Al-Alam T.V. publikoi një video në të cilën shfaqet anija e cila braktis ujërat e Gjibraltarit.

Ambasadori iranian në Londër, Hamid Baeidinejad, paralajmëroi se anija pritej që të lundrojë mbrëmë.

“Përderisa dy ekipe të specializuara të inxhinierisë arritën në Gjibraltar, anija pritet të niset sonte”, shkroi mbrëmë tha Hamid Baeidinejad në rrjetet sociale.

Komentet e tij vijnë pasi Gjibraltari, një territor britanik, refuzoi kërkesën e Departamentit Amerikan të Shtetit që të niset një procedurë e re ligjore për ndalimin e tankerit.

Më 4 korrik, Gjibraltari ndaloi tankerin iranian Grace 1 mbi pretendimet se po dërgonte naftë të papërpunuar në Siri duke shkelur sanksionet e Bashkimit Evropian (BE).

Irani gjithashtu konfiskoi një tanker me flamur britanik në Ngushticën e Hormuzit në një veprim hakmarrës. Që atëherë, janë përshkallëzuar tensionet në rajon.