Taksa rriti kontrabandën, brenda viti u konfiskuan 10 milionë € mall

Taksa 100 për qind ndaj prodhimeve serbe dhe atyre boshnjake nuk pati fare ndikim në të hyrat e Doganës së Kosovës. Por kjo taksë ndikoi dukshëm në rritjen e kontrabandimit të mallrave nga këto dy shtete.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha në një intervistë për Ekonomia Online thotë se vetëm gjatë këtij viti kanë zbuluar rreth 350 raste të kontrabandimit të mallrave serbe dhe boshnjake, e që kapin shumën prej 10 milionë eurove.

“Gjatë këtij viti kemi pasur rreth 350 zbulime vetëm të produkteve serbe e boshnjake, ndërsa nëse flasim në total ne kemi diku vepra penale të zbuluara nga aspekti i luftimit të ekonomisë joformale por edhe kontrabandës dhe zbulimit të kundërvajtjes kemi diku rreth 10 milionë euro zbulime gjatë këtij viti. Vetëm efekti direkt, ndërsa efekti indirekt është shumë më i lartë sepse ke arritur të parandalosh shumë aktivitete kontrabanduese që në një farë mënyre e ka legalizuar edhe importin në anën tjetër të rregullt”, thotë ai.

Interesi i grupeve kriminale del të jetë në ato produkte që sjellin potencialisht fitim të madh, prandaj ato synojnë të kontrabandojnë produkte me akcizë.

“Këtë vit kemi pasur diku rreth 20 milionë stok cigare të konfiskuar që janë kontrabanduar. Kemi pasur mbi 7 tonë duhan refuz. Por ajo që ka filluar të jetë më e shprehur si mall i kontrabanduar është edhe duhani në argjilë, pasi vërejmë që janë hapur edhe shumë lokale. Por kemi edhe produkte të tjera, kemi pasur shumë kilogramë të konfiskuar narkotikë. Kemi pasur armë, municion. Por duhet ta potencojmë edhe produktet e falsifikuara. Kemi konfiskuar rreth 2 milionë vlerë të këtyre mallrave dhe që anë shkatërruar”, thotë Berisha për eo.

Një rëndësi të veçantë Berisha thotë se i japin parandalimit të kontrabandimit të barnave, të cilat përveç efekteve ekonomike, kanë edhe efektet shëndetësore.

“Rëndësi të posaçme i japim edhe kontrabandimit të barnave sepse është një produkt i cili ka një kosto të lartë dhe sjellë një profit po ashtu të lartë përmes rrugëve kriminale, por edhe dëmton shëndetin publik. Këtë vit kemi rreth 10 mijë copë paketime të ndryshme që kemi zbuluar kontrabandë përmes rrugëve malore që janë futur në Kosovë”, thotë ai.

Berisha thotë se çdo ndryshim i politikave fiskale dhe vendosje të taksave të ndryshme ndikojnë në aktivizimin e grupeve kriminale.

Por thotë se janë të mobilizuar që të ulin sa më shumë këtë dukuri, pasi që sic thotë ai asnjëherë dhe në asnjë vend kontrabanda nuk mund të ndalet 100 për qind.

 “Zakonisht kur ka ndryshim të politikave fiskale apo vendosjen e ndonjë mase mbrojtëse grupet kriminale aktivizohen më shumë dhe tentojnë t’i kontrabandojnë ato produkte të cilat potencialisht sjellin një profit më të lartë për ta. Mirëpo falë një riorganizimi që kemi pasur ne si doganë menjëherë pas vendosjes së masave mbrojtëse, sepse është vlerësuar me një rrezikshmëri të lartë kontrabandimi i mallrave nga këto dy vende. Bashkëpunimi me institucionet tjera zbatuese të ligjit në Kosovë kemi arritur të parandalojmë dhe të kemi një kontroll bukur të mirë”. 

“Asnjëherë në asnjë vend kontrabanda nuk ndalet  100 për qind, sepse kontrabandistat shfrytëzojnë rrugët malore, por kjo kontrabandë kryesisht është zhvilluar kryesisht përmes rrugës malore dhe është shfrytëzuar me automjete të vogla dhe sasi të vogla dhe janë furnizuar disa lokale të vogla në disa pjesë të Kosovës. Por kjo  nuk ka ndikuar në dëmtimin e ekonomisë dhe të hyrave, por edhe në prishjen e konkurrencës në nivel vendi”, thotë ai.

Mallrat serbe dhe ato boshnjake Berisha thotë se janë zëvendësuar nga vendet e rajonit, por edhe të BE-së dhe se nuk është vërejtur mungesa e tyre.

”Kryesisht ne jemi një shoqëri që varemi nga importi dhe nga konsumi, Këto produkte nga Serbia dhe Bosnja pas vendosjes së masës mbrojtëse 100 për qind ka filluar të zëvendësohet nga vendet e tjera. Do të thotë nuk do të ketë ndonjë ndikim në të hyra qoftë pozitiv apo negativ, sepse në vitin 2019 produktet të cilat kanë ardhur nga këto dy vende janë zëvendësuar nga vende të tjera të regjionit apo nga vendet e tjera të Evropës Juglindore apo të BE-së. Dhe ky kompensim kryesisht është bërë nga Gjermani, Bullgaria, Hungaria, Maqedonia, Shqipëria, por edhe vendet e tjera të BE-së”, përfundon Berisha.

Qeveria e Kosovës më 21 nëntor të vitit 2018 vendosi taksën prej 100 për qind ndaj prodhimeve serbe, si kundërpërgjigje për politikën agresive të qeverisë së Serbisë kundër vendit tonë.