Taksa ka izoluar Kosovën dhe kryeministrin Haradinaj – pak udhëtime jashtë vendit

Që nga vendosja e taksës ndaj Serbisë, shtetet perëndimore kanë “ndëshkuar” Kosovën në mënyra të ndryshme.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot deklaroi se taksa e vendosur ndaj Serbisë, nuk e ka izoluar Kosovën.

Mirëpo, kujtojmë se për shkak të vendosjes së kësaj takse, vetë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka mundur të udhëtojë pothuajse askund për ndonjë vizitë zyrtare.

Hera e fundit kur kryeministri i Kosovës ka udhëtuar për ndonjë vizitë zyrtare ishte më 15 shkurt të këtij vit, ku mori pjesë në Konferencën e Sigurisë që është mbajtur në Mynih të Gjermanisë.

Që nga 15 shkurti kryeministri Haradinaj më nuk ka udhëtuar në asnjë vend të Evropës, raporton lajmi.net.

Madje kryeministrit Haradinajt, iu kishte refuzuar edhe viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte i ftuar që të merrte pjesë në Lutjet e Mëngjesit.

Profesori universitar Arben Fetoshi, ka thënë për lajmi.net, se jo vetëm për shkak të taksës, por Kosova është e izoluar edhe për shkak të papërgjegjësive politike në sfera të ndryshme duke përfshirë këtu edhe korrupsionin, nepotizmin, keqqeverisjen etj,.

“Është e vërtetë që nuk është vetëm taksa. Kosova nuk është e izoluar për shkak të taksës, por është e izoluar dhe kjo ka ardhur për shkak të shumë faktorëve: papërgjegjësisë së zyrtarëve, papërgjegjshmërisë politike, korrupsionit endemik, nepotizmit, klientelizmit, keqqeverisjes, por pa e përjashtuar edhe kontekstin e dialogut Kosovë-Serbi, pasi marrëveshja eventuale gjithëpërfshirëse është angazhimi kryesor ndërkombëtar aktualisht në Ballkan”, është shprehur Fetoshi për lajmi.net.

Fetoshi po ashtu ka thënë se një tregues i izolimit të Kosovës është edhe mungesa e vizitave shtetërore në vendet e rëndësishme.

Sipas tij, kjo gjendje mund të ndryshojë vetëm me përmbylljen e dialogut dhe me ndryshimin e përbërjes aktuale politike.

“Mungesa e vizitave shtetërore në ndonjë vend me rëndësi dhe mungesa e vizitave shtetërore nga vende domethënëse në Kosovë është tregues i qartë i izolimit, i cili duket më tepër si mesazh drejtuar politikës dhe jo mosinteresim apo mungesë e mbështetjes për Kosovën. Kjo gjendje mund të ndryshojë vetëm nëse përmbyllet dialogu, si dhe me ndryshime të ndjeshme në përbërjen aktuale politike si ndëshkim për korrupsionin e nivelit të lartë”, është shprehur Fetoshi për lajmi.net.

Kujtojmë se më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për vendosjen e taksës prej 100 për qind për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Që nga ajo kohë, Serbia ka bllokuar dialogun me Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian në vazhdimësi i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta tërheq këtë vendim.

Mirëpo, është kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ai i cili po këmbëngul në mbajtjen e kësaj takse, kështu duke thënë se kjo taksë do të hiqet vetëm nëse arrihet një marrëveshje që garantohet se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se nuk do ta pengojë anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare.

Në anën tjetër edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, kanë thënë se raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës assesi nuk duhet të zbehen.

SHPËRNDAJE