Takimi në Paris, Rusia dhe Ukraina arrijnë një armëpushim të ri

Rusia dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje për një armëpushim mes tyre, pas vitesh 5 vitesh konflikti të armatosur.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky janë takuar nën ndërmjetësimin e Presidentit francez Emanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel në Paris.

Takimi i tyre zgjati rreth 9 orë dhe në fund u arrit një marrëveshje e re armëpushimi dhe dakordësi në lidhje me shkëmbimin e pengjeve.

“U dakordësuam për masa të menjëhershme për stabilizimin e sigurisë në Lindje të Ukrainës, që do të thotë se arritëm një armëpushim të plotë dhe të palimituar në lindje të Ukrainës. Duhet të fillojë në fund të këtij viti”, tha Zelensky.

Ndërsa Putin u shpreh: “Procesi i arritjes së armëpushimit duhet të jetë në sinkron me implementimin e reformave në Ukrainë, që parashikohen në akordin e Minskut. Fillimisht duhet të bëhen ndryshime në Kushtetutën e vendit, për t’i dhënë rajonit të Donbasit një status special të qëndrueshëm”.

Merkel nënvizoi faktin se ka ende shumë punë për t’u bërë dhe vlerësoi dëshirën e dy krerëve të shteteve për të arritur në një zgjidhje të qëndrueshme. Për Macron ky ishte një takim pozitiv sa i takon asaj që u arrit.

Ndërkohë që po zhvillohej takimi në Paris, protesta masive po mbaheshin në rrugët e qyteteve në Ukrainë kundër tij. Konflikti mes dy vendeve në lindje të Ukrainës nisi me aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe ka shkaktuar deri tani 13 mijë viktima. /Opinion.al