Takimi Kurti-Mustafa përfunon pa marrëveshje

Pa një marrëveshje për koalicion qeverisës ka përfunduar takimi mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe atij të LDK-së Isa Mustafa.

Të dy liderët u takuan edhe sot në kuadër të bisedimeve për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje, por pas takimi as Kurti e as Mustafa nuk janë paraqitur para mediave.

Për të dhënë detaje nga ky takim para mediave ka folur zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Mustafa ka thënë se ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje, por që të dy liderët janë pajtuar që të intensifikojnë takimet, raporton lajmi.net.

“Takimi mes dy liderëve tashmë ka përfunduar, edhe Kurti edhe Mustafa janë pajtuar që të intensifikojnë takimet në ditët në vijim deri në arritje e marrëveshjes për koalicion qeverisës mes dy partive tona. Besoj se shumë shpejt nesër ose pasnesër nëse lejon agjenda e dy liderëve, ata do të takohen sërish”, ka thënë Mustafa.

Mustafa nuk ka folur rreth kërkesës së LDK-së për postin e presidentit.