Tahirsylaj tregon se kur i vjen fundi vapes tropikale

Sipas tij, temperatura, që matet nën hije, sivjet ka shkuar deri 39 gradë celsius, në disa vende temperatura mund të jetë edhe më e lartë për shkak të deponive, asfaltit etj. Megjithëkëtë, ende nuk ka ardhur momenti i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
 – Ish-drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, profesori i meteorologjisë Sylë Tahirsylaj, ka deklaruar se të martën e javës që vjen do t’i vijë fundi vapës tropikale që e ka përfshirë Kosovën.
Por sipas Tahirsylajt, pas rënies së temperaturave, do të ketë rrezik që të bie breshër dhe të prish kulturat bujqësore.
“Ditën e martë do të ketë reshje dhe ka rrezik nga breshëri që është në interes të keq për popullatën. Sepse ua prish kulturat bujqësore. Prandaj, vendi ynë do të jetë të martën në ndikimin e këtyre masave ajrore që vijnë nga Afrika Veriore. Sipas imazheve satelitore i gjithë rajoni i Ballkanit është i përfshirë me këto temperatura të cilat janë mjaftë të larta për kushtet klimatike dhe pozitës gjeografike të vendit tonë”, tha Tahirsylaj në një intervistë për Gazetën Express.
Tahirsylaj, thotë se pavarësisht temperaturave të larta të shënuara, nuk është tejkaluar temperatura për tu shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
“Ende nuk ka kalu temperatura për shpallje të jashtëzakonshme. Por, nuk mund të prononcohem për arsye se unë nuk disponoj në bazë të të dhënave të rrjetit meteorologjik të vendit. Është kompetencë e Institutit Hidrometeorologjik dhe Qeverisë të vlerësojnë situata të tilla”, tha ai.