Tahiri: Taksa do të hiqet për arsye politike

Taksa e 21 nëntorit, e cila shënon kushtëzimin e parë të Kosovës kundrejt Serbisë po vihet në pikëpyetje ditëve të fundit. Përveç krerëve të Bashkimit Evropian të cilët kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës të reflektojnë në lidhje me taksën e vendosur, një gjë e tillë është kërkuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur i palëkundur në qëndrimet e tij kundrejt taksës prej 100% edhe pas takimit me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnet. “Ka qenë një bisedë e mirë. Ne kemi dëshirë me heq taksën dhe e synojmë heqjen e taksës sepse është sugjerim i aleatëve tanë. Por edhe pse e ndërlidhim heqjen e taksës me një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke”, kishte potencuar Haradinaj. Edhe analisti politik, Ramush Tahiri po konsideron se ashtu siç ishte vendim politik do të hiqet për arsye po ashtu politike. Por, sipas tij qeveria e Kosovës duhet të reflektojë sidomos pas letrës së departamentit të shtetit amerikan. “Taksa e vendosur për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është politike dhe hiqet gjithashtu për arsye politike. Pas letrës së State Departamentit e Këshillit të Sigurisë Kombëtarë Qeveria e Kosovës duhet të reflektoje dhe të gjejë rrugëdalje duke ofruar zgjidhje të pranueshme. Për momentin qëndrimi i kryeministrit Haradinaj ka mbetur i palëkundur duke thënë që nuk do të hiqet përderisa qëndrojnë arsyet e vënies së sajë dhe përderisa Serbia nuk tregon shenja se do të pranojë shtetin e Kosovës dhe përderisa askush nuk po ofron garanci se dialogu Kosovë Serbi do të përfundojë me njohje reciproke”, është shprehur Tahiri për Indeksonline.