Tahiri: Heqja e barrikadave në veri, sukses i marrëveshjeve të Brukselit

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se heqja e barrikadave është një zhvillim pozitiv, e sidomos pasi është bërë me vetë iniciativën e qytetarëve.

Ajo ka theksuar se me këto veprime, po zbatohet marrëveshja e Brukselit.

“Heqja e barrikadës nga Ura e Ibrit, më 14 gusht, është një veprim që lidhet me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për lirimin e urës. Por, që në një marrëveshje që kemi pasur që nga viti 2014, kur është vendosur kjo barrikadë e quajtur ‘Parku i Paqes’, ka qenë një dakordim që edhe barrikadat dhe pengesat tjera të hiqen”, ka shpjeguar Tahiri për Radio Evropa e Lirë.

Ajo ka shtuar se me heqjen e barrikadave mund të ketë lëvizje të lirë të qytetarëve, të ketë një klimë të mirë të sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve.

Situata në këtë qytetet çdo ditë po normalizohet, ka thënë kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri.

Sipas tij, tashmë ka mbetur edhe kthimi i shqiptarëve në pjesën veriore.

“Çdo herë dhe çdo ditë tensionet janë duke u zvogëluar, çdo ditë po shihet progres. Tani na ka mbetur kthimi i shqiptarëve në pjesën e veriut. Të them të vërtetën, Mitrovica është një pjesë e Kosovës, që ka qenë e padefinuar në aspektin e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Dhe, tashmë është duke u rritur ai progres. Tash duhet të kthehen edhe shqiptarët në pjesën veriore, dhe të merremi me punësimin e tyre, sepse kanë qenë të anashkaluar prej secilit institucion të Kosovës”, është shprehur Bahtiri.

Ndryshe, ura kryesore mbi lumin Ibër që ndan jugun dhe veriun e Mitrovicës, do të jetë e hapur për qarkullim të plotë më 20 janar të vitit 2017.

Autoritetet në Kosovë vazhdimisht kanë qenë të gatshme që të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel, përshirë edhe lëvizjen e lirë. Barrikadat, nga përfaqësues të shoqërisë civile, janë parë si problem politik, duke e sjell një paqe të brishtë në qytetin e Mitrovicës.