Sylejman Selimi ende në QKUK, mjeku flet për gjendjen e tij

Ish-Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi po vazhdon të jetë i shtrirë në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) në QKUK. Selimi është duke u mjekuar në këtë Klinikë pasi ka probleme me veshin e brendshëm, gjë që i shkakton disbalans të qendrës ekuilibruese. Veshi i mesëm është pikërisht arsyeja që po dëmton shëndetin e Selimit, duke i sjellë të vjella, marramendje dhe mos-fokusim të mirë në qëndrim. Lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, Indeksonline ka kontaktuar Drejtorin e Klinikës, doktor Hajdin Thaçi. Ai ka bërë të ditur se Selimi ka një problem shëndetësor që quhet (Sindroma Vertiginosum) dhe që nga data 5 dhjetor gjendet i shtrirë në këtë klinikë. “Pra ka marramendje të shoqëruara me jostabilitet, gjendja e tij nuk është i sigurt pasi ka të vendosur edhe një aparat brenda veshit dhe këto raste trajtohen me terapi të llojllojshme dhe ky trajtim zgjat deri në 10 ditë, por gjendja e tij vazhdon të ketë nevojë për trajtim të mëtutjeshëm. Kësisoj problemi qëndron tek veshi i mesëm që lidhet me trurin”, ka thënë Thaçi për Indeksonline. Tutje doktori ka theksuar se marramendja që i shkaktohet i sjellë atij edhe të vjella dhe ndjesinë sikur objektet rreth tij po sillen. “Marramendja përcillet me mundime dhe të vjella e simptoma të tjera dhe vërehet jo stabilitet në qëndrim, pra i duket sikur i sillen objektet përreth vetes. Ka disbalans të qendrës ekuilibruese, e cila është e vendosur në veshin e mesëm. Kjo sëmundje trajtohet me terapi konservative e jo me kirurgji, ndërsa Sylejman Selimi është pranuar me datën 5 dhjetor në Klinikën e ORL-së”, ka shtuar Thaçi. Ndryshe Sylejman Selimi pritet të jetë njëri nga të intervistuarit e Zyrës së Prokurorit në Hagë, edhe pse avokati mbrojtës i Selimit, Tomë Gashi ka theksuar se janë duke bërë përpjekje që atij t’i mundësohet intervistimi në Prishtinë. Përpos kësaj avokati Gashi tha se gjendja shëndetësore e Selimit është përkeqësuar ndër vite. Gjenerali Sylejman Selimi ishte arrestuar në maj të vitit 2013 dhe ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 maj 2015 duke u dënuar më 6 vjet burg. Ndërsa, më 7 qershor 2018 u zhvillua edhe rigjykimi i rastit të njohur si ‘Drenica 2’ kurse më 11 qershor seanca për rastin ‘Drenica 1’. Lidhur me këtë avokati i tij, Tomë Gashi pati deklaruar ditë më parë se pa asnjë të drejtë ligjore Selimi po vazhdon të qëndrojë në burg.