Sulmi terrorist në Kayseri, reagime nga e gjithë bota

Këshilli i Evropës dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dënuan sulmin terrorist në Kayseri të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Evropës, Thorbjorn Jagland, në një mesazh të publikuar ka dënuar sulmin terrorist në Kayseri.

Jagland në mesazhin e tij ka theksuar se në Kayseri ka ndodhur edhe një sulm tjetër terrorist ku kanë humbur jetën shumë ushtarë dhe janë plagosur dhjetëra të tjera, teksa ende nuk ka kaluar një javë nga sulmi terrorist në Stamboll.

“Këshilli i Evropës në këtë kohë të vështirë është pranë Turqisë dhe popullit turk. Sulmet terroriste duhet të ndalin”, është shprehur Jagland duke theksuar se sulmet nuk i shërbejnë qëllimit politik, dhe se shkaktojnë vetëm dhimbje për njerëzit.

Edhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Pedro Agramunt, në një deklaratë në median sociale duke theksuar se dënon në mënyrë të prerë sulmin tragjik të ndërmarrë me autobombë në Kayseri, u shpreh se ndodhet pranë qeverisë, popullit turk, pranë viktimave të sulmit dhe familjeve të tyre.

MPJ e Francës dënon sulmin terrorist në Kayseri

Në një deklaratë me shkrim të publikuar nga Ministria e Jashtme e Francës, theksohet se Franca dënon sulmin terrorist në Kayseri dhe shpreh ngushëllimet për familjarët e personave që ishin në objektivin e sulmit.

Në deklaratë thuhet më tej se “Në luftën kundër terrorizmit ndodhemi krah Turqisë”.

Ndërsa në anën tjetër sulmi është dënuar edhe nga kryetari i bashkisë së Strazburgut, Roland Ries, ku jetojnë masivisht turqit.

Ries duke rikujtuar se qytetin Kayseri dhe Strazburgu janë qytete të binjakëzuara, në emër të të gjithë banorëve të Strazburgut ka përcjellë mesazhet ngushëlluese.

Putin mesazh ngushëllimi

Në një deklaratë të publikuar nga qendra për shtyp e Kremlinit theksohet se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është shpehur në mesazhin e tij se “Jam i sigurtë se përgjigja ndaj këtyre sulmeve do të jetë një luftë më e vendosur kundër grupeve ekstreme. Rusia në luftën kundër terrorizmit është e gatshme të zgjerojë edhe më tej bashkëpunimin me Turqinë.”

Bushati reagon për sulmin terrorist në Kayseri të Turqisë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar sot në lidhje me sulmin terrorist në Kayseri të Turqisë.

“Më pak se një javë pas sulmit në Stamboll një tjetër sulm në Kayseri. E dënojmë fuqimisht dhunën dhe ndajnë pikëllimin me popullin e Turqisë”, shkruan Bushati në një mesazh në profilet e rrjeteve sociale.