Sulmi në Florida, autori me “probleme mendore”

Sipas të afërmve dhe zyrtarëve të sigurisë veterani i luftës Esteban Santiago, i cili të premten me pistoletë hapi zjarr në aeroportin e Fort Lauderdale-Hollywood vrau pesë dhe plagosi tetë persona, kishte probleme mendore, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Gardës majori Paul Dahlen tha se 26-vjeçari Esteban Santiago ishte në Irak në vitin 2010, si pjesëtar i Gardës Kombëtare të Porto Rikos dhe se atje kaloi një vit me batalionin për inxhinieri.

Hernan Rivera, xhaxhai i të dyshuarit Santiago, ka thënë se kur ai u kthye nga Iraku, “nuk ndihej mirë”.

Në vitet e fundit, Santiago ka jetuar në Anchorage, Alaskë, konfirmoi për mediat amerikane, vëllai e tij Bryan Santiago. Ai shtoi se e dashura e vëllait të tij kohë më parë i ka njoftuar se Santiagos i duhet trajtim mjekësor.

Një zyrtar i policisë, i cili dëshiron të mbetet anonim, ka thënë se Santiago në nëntor të vitit të kaluar erdhi në zyrën e FBI-së në Anchorage, dhe u ankua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kontrollojnë mendjen dhe se e detyrojnë të shikojë videot e DEASH-it.

Agjentët janë përpjekur të bisedojnë me njeriun e shqetësuar dhe të palidhur ndërsa më pas thirrën policinë e cila e dërgoi atë për vlerësimin e shëndetit mendor.

Santiago të premten nxorri armën në terminalin e aeroportit dhe filloi të shtijë ndaj njerëzve.

Gjatë të shtënave vrau 5 ndërsa 8 të tjerë plagosi. Nga ana tjetër 30 persona morën lëndime duke ikur në panik në aeroport. Pas të shtënave policia e arrestoi sulmuesin.