Sulme fizike në familjet kosovare për Vitin e Ri, shkaktar alkooli

Katër sulme fizike kanë ndodhur gjatë festimit të vitit të ri në disa qytete të ndryshe.

Sipas Policisë, shumica e rasteve janë pas orës 24:00, dhe shkaktar kryesor është alkooli.

Një femër e komunitetit rom nga Fushë Kosova, ka raportuar se i dashuri i saj, i dyshuari i po të njëjtit komunitet, nën ndikim të alkoolit, e ka sulmuar fizikisht, si dhe e ka demoluar shtëpinë.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Po ashtu, në Prishtinë një femër ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. I njëjti është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

E në Gjilan, është arrestuar i dyshuari mashkull, pasi që i njëjti në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj djalit dhe bashkëshortes së tij.

Viktima mashkull ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje .

Në Pejë, është arrestuar i dyshuari mashkull i cili nën ndikim të alkoolit, kishte sulmuar vëllain e tij.

Me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari është ndaluar në ndalim policor.