Sulm vetëvrasës në një dasmë në Afganistanin Lindor

Një sulm vetëvrasës që ndodhi në një dasmë në Afganistanin Lindor ka shkaktuar vdekjen e të paktën pesë personave, raporton Anadolu Agency (AA).

Attaullah Khogyani, zëdhënës i guvernatorit të provincës lindore Nangarhar, për AA tha se incidenti ndodhi në krahinën Pache Wa Aagam.

Ai po ashtu konfirmoi se sulmi, i cili u krye nga një djalë, plagosi të paktën 40 persona tjerë.

Sipas zëdhënësit Khogyani, në mesin e të vdekurve është edhe Malik Toor, udhëheqësi pro-qeveritar i fiseve i cili kryesonte milicitë kundër kryengritësve.

Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Megjithatë, zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahed, përmes rrjeteve sociale njoftoi se talebanët nuk janë të përfshirë në këtë sulm.

Lokacioni ndodhet afër zonës fisnore të Pakistanit dhe është i kapluar nga kryengritjet e talebanëve dhe kryengritësit pro-DEASH.