Sulm terrorist në veri të Sirisë, 10 civilë të vrarë

Të paktën dhjetë civilë janë vrarë nga një sulm terrorist me autobombë në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sulmi është kryer në Al-Bab, qytet tashmë i kontrolluar nga opozita ushtarake në të cilin Turqia kishte realizuar operacionin “Mburoja e Eufratit”.

Sulmi po ashtu ka shkaktuar të paktën 30 civilë të plagosur, ndërsa thuhet se numri i viktimave mund të rritet.

Shumë automjete janë djegur si pasojë e shpërthimit, kurse dëme të mëdha kanë pësuar edhe ndërtesat përreth.

Në vendin e ngjarjes janë dërguar ekipet e Mbrojtjes Civile, të cilët bënë përpjekje për të shuar zjarrin që ka shpërthyer.

Forcat lokale të sigurisë janë duke zhvilluar hetim për gjetjen e autorëve të sulmit.

Ndryshe, organizata terroriste YPG/PKK, e cila është larguar nga rajoni i Afrinit pas operacionit antiterrorist turk “Dega e Ullirit”, vazhdon të mbajë nën okupim rajonin Tel Rifat në veriperëndim të qytetit Al-Bab dhe shpesh sulmon vendbanimet e kontrolluara nga Ushtria Kombëtare Siriane.