Sulm terrorist në Turqi, 3 të vdekur dhe rreth 170 të plagosur

Terroristët e PKK-së kanë kryer një sulm me autobombë ndaj ndërtesës së drejtorisë së policisë në qytetin Elazığ të Turqisë. Gjatë sulmit kanë rënë dëshmorë 3 policë si dhe janë plagosur 170 persona të tjerë duke përfshirë edhe civilë, raporton Anadollu Agency (AA).

Si pasojë e sulmit janë dëmtuar ndërtesa e drejtorisë së policisë së qytetit dhe ndërtesat përreth saj. Gjithashtu si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe automjetet në pjesën e brendshme të drejtorisë së policisë si dhe në zonën e shpërthimit është hapur një gropë e madhe.

Pas sulmit në vendngjarje ka mbërritur edhe prefekti i qytetit Elazığ, Murat Zorluoğlu. Në deklaratën të bërë nga Prefektura u njoftua se sot në orët e mëngjesit është kryer një sulm me autobombë ndaj ndërtesës së drejtorisë së policisë në qytetin Elazığ.

“Autobomba, është shpërthyer jashtë murrit rrethues të drejtorisë së policisë. Si pasojë e sulmit kanë rënë dëshmorë 3 polic, ndërsa janë plagosur 170, ku 14 janë në gjendje të rëndë”, thuhet në deklaratën e Prefekturës.

Në deklaratë gjithashtu u theksua se të plagosurit janë dërguar në spitale të ndryshme për trajtimin e tyre mjekësor, ndërsa vazhdon hetimi i gjithanshëm në lidhje me sulmin.