Sulm i ri në Idlib të Sirisë, të paktën 7 të vdekur

Avionët luftarakë të regjimit sirian kanë kryer sulme ndaj vendbanimeve dhe shkollave në qarqet dhe lagjet e qytetit Idlib, të cilat gjenden nën kontrollin e opozitarëve. Në sulmet humbën jetën të paktën 7 persona ndërsa 16 të tjerë janë plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).

Muhammed Yahya, një ndër zyrtarët e Mbrojtjes civile në Idlib, në deklaratën e tij për gazetarin e AA-së, tha se avionët luftarakë të regjimit kanë bombarduar qarkun Maret en-Numand dhe lagjen Maret el-Misrin të qytetit Idlib, të cilat gjenden nën kontrollin e opozitarëve.

“Avionët luftarakë të regjimit sulmuan një punëtori në qytetin Idlib. Në sulmin humbën jetën 4 civilë kurse 4 të tjerë u plagosën. Ndërsa në sulmet ndaj shkollës Ebi Al Ala Al Maari në Maret en-Numan dhe shkollës Hasub në Maret el- Misrin humbën jetën 3 civilë dhe u plagosën 12 nxënës”, tha Yahya duke theksuar se avionët kanë shënjestuar gjithashtu edhe vendbanimet.

Yahya tregoi se nxënësit e plagosur në sulme janë dërguar në spitalet e improvizuara në rajon për trajtim mjekësor. Sipas tij, shkollat kanë pësuar dëme të mëdha materiale.