Sulm ndaj autokolonës së forcave të Turqisë në Idlib

Një sulm me raketahedhës është ndërmarrë ndaj autokolonës së Forcave të Armatosura Turke (TSK) në Idlib të Sirisë, e cila kryen detyrën e saj për vëzhgimin e armëpushimit në “zonën jokonfliktuale”.

Sipas informacioneve të marra mësohet në sulmin e ndërmarrë ndaj autokolonës së TSK-së gjatë kalimit të saj në afërsi të zonës Daret Izze, predha e raketahedhësit ka rënë në afërsi 20-30 metra nga automjetet e autokolonës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndërkohë bëhet e ditur se në sulm nuk ka patur të vrarë apo të plagosur dhe se nuk është shënuar ndonjë dëmtim tek automjetet. Pas ngjarjes theksohet se elementët e TSK-së kanë marrë masat e nevojshme të sigurisë.

Rajoni Idlib dhe rrethinat e tij, që ndodhen përballë qytetit Hatay të Turqisë, në marrëveshjen e Astana-s më 4-5 maj u shpallën “zonë jokonfliktuale”. Garantuesit e armëpushimit Turqia, Rusia dhe Irani edhe në raundin e mbajtur më 14-15 shtator u dakorduan për kufijtë mbi këtë rajon.

TSK u transferua në rajon më 12 tetor me qëllim të krijimit të pikave të vëzhgimit të armëpushimit. TSK, e cila deri më tani ka ngritur 3 pika vëzhgimi, po vazhdon aktivitetet e saj.