Sulm me armë në një shkollë në SHBA, 5 të plagosur

Një tjetër sulm me armë zjarri në një shkollë në shtetet e bashkuara. Të paktën pesë vetë janë plagosur pasi një person i armatosur hapi zjarr në oborrin e një gjimnazi në Kaliforni, një prej të cilëve humbi jetën në spital. Dy nga të plagosurit e tjerë, janë sipas mjekëve në gjendje kritike.

Ngjarja ndodhi në shkollën e mesme Saugus në Santa Clarita, në veri të Los Angelosit, pak minuta para se mësimi të fillonte. Policia e përshkroi autorin si një mashkull aziatik, i veshur me të zeza dhe konfirmoi se ai ishte ndaluar.

Sipas LA Times, bëhet fjalë për një 15 vjecar. Shkolla, bashkë me ambjentet përreth u izoluan. Imazhet video nga helikopterët tregonin oficerët e policisë përreth shkollës dhe të plagosurit që largoheshin me ambulanca.

Në 2018, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë regjistruar tetë raste të ngjashme me viktima në shkolla; në total, viktimat kanë qenë 30. Ndërsa në tetë muajt e parë të 2019, në SHBA ka patur 283 sulme me armë zjarri, ose të shtëna në masë, që klasifikohen rastet në të cilët ka të paktën katër të plagosur, përjashtuar autorët e sulmit. Shumë shkolla në shtetet e bashkuara kanë kryer stërvitje për rastet e sulmeve me armë zjarri në vitet e fundit. Sipas Washington Post, më shumë se 230 mijë të rinj janë përballur me dhunë me armë zjarri në shkolla që nga masakra në shkollën Columbine, në Kolorado, në 1999./tch