Sudani i Jugut, 200 mijë fëmijë të zhvendosur nga përmbytjet

Organizata ndërkombëtare jofitimprurëse “Save the Children” ka bërë të ditur se ndër ata që kanë braktisur shtëpitë e tyre në Sudanin e Jugut për shkak të shirave të rrëmbyeshëm që filluan në korrik janë fëmijët, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Save the Children është thellësisht e shqetësuar për shëndetin e mbi 420 mijë personave, përfshirë të paktën 200 mijë fëmijë, të cilët ishin të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre nga shirat jashtëzakonisht të rrëmbyeshëm dhe nga përmbytjet që kanë goditur vendin”, tha organizata për të drejtat e fëmijëve.

Sipas raportit të organizatës, përmbytjet kanë prekur mbi 30 qarqe në Sudanin e Jugut, ku shumë fëmijë janë ndarë nga familjet e tyre dhe kanë humbur dokumentacionet e tyre, përfshirë çertifikatat e lindjes, të cilat mund të parandalojnë qasjen e tyre në shërbime jetësore në të ardhmen.

“Përmbytjet në Sudanin e Jugut kanë arritur në pikë kritike ndërsa fëmijët dhe familjet e tyre kanë nevojë urgjente për mbështetje”, tha Rama Hansraj, udhëheqës i organizatës në Sudanin e Jugut.

“Komunitetet e prekura tashmë janë disa nga më të rrezikuarat në vend”, theksoi Hansraj.

Rajonet e Nilit të Epërm të Sudanit të Jugut janë më të prekurat nga përmbytjet për shkak të shirave të rrëmbyeshëm.